Kur një femër sjell në jetë një fëmijë, bashkë me të lind edhe ndjenja e mëmësisë, përkujdesjes dhe dhembshurisë. Braktisja e foshnjës së porsalindur në bodrumin e një pallati në Yzberisht të Tiranës ka indinjuar të gjithë qytetarët të cilët kanë menduar gjërat më të këqija për nënën (patjetër me të drejtë) e cila la në të ftohtë foshnjën dhe vetë më pas iku në banesë. Kushdo nga ne të shkojë dhe të pyes 30-vjeçaren e arrestuar tashmë për braktisjen e të miturit, do të thotë që nuk ka dashur ta lërë fëmijën atje por ka qenë e detyruar nga rrethanat. Por nuk ka menduar se fëmija mbetet jetim për nënë dhe jo për baba, e aq më pak nuk ka menduar se foshnja s’do mbijetojë.
Në deklaratën e dhënë përpara uniformave blu, nëna ka pohuar se është e pamartuar dhe nuk ka dashur që njerëzit ta marrin vesh për shtatzëninë e saj. Kjo është shumë e rëndë. Unë, ti, kushërinjtë tanë, fqinjët tanë, të gjithë ne jemi fajtorë për vdekjen e atij fëmije. Ne nuk shohim nga pragu i shtëpisë e brenda, por nga pragu i shtëpisë e jashtë.
Sot një nënë është bërë vrasësja e fëmijës së saj, sepse opinioni publik do kështu. Sot një nënë ndodhet në burg pasi ka vrarë të voglin e saj sepse nuk duron dot sytë e të gjithëve duke e gjykuar dhe paragjykuar: Me kë e ka atë fëmijë kur nuk është e martuar?
Sot ne jemi fajtor që ajo nënë nuk e përqafoi kurrë vogëlushin e saj. Ne, që jemi puritanë, që nuk gabojmë kurrë dhe gjithçka në shtëpinë tonë e kemi fjollë, mund të flemë të qetë sonte që ja mësuam emrin nënës së foshnjës dhe të flasim edhe disa ditë për të, më pas do gjejmë dikë tjetër për të bërë kurban…sepse kjo është gjëja që ne si shoqëri dimë të bëjmë më mirë./ Klara Murra