Kryeministri Edi Rama e quan realizimin e premtimit për të rritur në 900 euro pagën mesatare në Shqipëri gjatë vitit 2024, një arritje historike. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka zbuluar faktorët që orientuan qeverinë të dyfishojë së shpejti pagën mesatare, nga 530 euro në 900 euro.
“Kjo është fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana”, shkruan Rama.
Prej 1 prillit ka hyrë në fuqi dhe paga minimale, 40 mijë lekë, ndërsa administrata publike dhe sektorë të shëndetësisë, arsimit, zjarrfikësit, policisë do të përfitojnë rritje të pagës muajin në vijim.