Një pagë minimale do t’u ofrohet tenistëve meshkuj për t’i ndihmuar këta sportistë që të përballojnë presionin financiar, me shumën që do të përcaktohet në bazë të fitimeve vjetore.
Këtë pagesë pritet që ta përfitojnë 300 tenistët më të mirë të botës, raporton Daily Express. Kjo do të thotë që lojtarët tani mund të planifikojnë përpara agjendën e tyre, duke ditur fitimet vjetore, e do të shmangin pasigurinë financiare bazuar në performancat e tyre.
Thirrjet e numrit 1 të botës Novak Xhokoviç për pagesa më të mira financiare për tenistët meshkuj kanë marrë përgjigje.
Serbi ka qenë një ndër zërat më të fortë për të ndihmuar financiarisht tenistët të cilët gjenden më ulët në renditjen e përgjithshme, për të cilët kostot e udhëtimeve nëpër botë janë më të mëdha për shkak të fitimeve të ulëta vjetore, që vijnë nga fitimet e çmimeve me profil më të ulët.
Kjo nismë e cila do të nisë të zbatohet në muajt në vazhdim, do të ndikojë në përmirësimin e konkurrencës dhe të sportit.