Sylvinho ka folur për kombëtaren shqiptare dhe ndeshjet vendimtare të shtatorit me Çekinë dhe Poloninë. Në një intervistë, Sylvinho ka thënë se djemtë e kombëtares janë cilësorë dhe të përkushtuar dhe se objektivi i tyre është Euro 2024.
“Shqipëria ka lojtarë cilësorë, të përkushtuar që luajnë në nivele të larta të futbollit europian. Jemi në vendin e duhur të klasifikimit edhe pse grupi është i vështirë. Gjithsesi, objektivi ynë mbetet kualifikimi në Euro 2024. Mendoj se kjo do të vendoset në ndeshjet e fundit. Është mëkat që nuk kemi pasur në dispozicion Brojën dhe Kumbullën prej dëmtimeve. E bëjmë punën me qetësi dhe kemi gjithçka na nevojitet”, tha Sylvinho.
Braziliani foli për sfidën me Çekinë më 7 shtator dhe përballjen me Poloninë më 10 shtator.
“Kam preferuar të punoj duke jetuar në Tiranë. Gjërat po shkojnë mirë, kemi marrë disa rezultate të mira dhe ka shumë entuziazëm për të ardhmen. Drejtimi i Kombëtares është disi i komplikuar, me stafin i planifikojmë grumbullimet. Në këtë periudhë lojtarët vijnë nga faza përgatitore, duhet të gjejmë ata që janë më të përgatitur për dy ndeshjet e datave 7 dhe 10 shtator”, shtoi ai.