Sot do të luhet ndeshja Shqipëri-Çeki e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje kreu i FSHF-së Armand Duka, ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe krerët e Policisë së Shtetit kanë mbajtur një konferencë ku kanë shprehur entuziazmin për këtë përballje të rëndësishme për Shqipërinë.
Ministri Taulant Balla ka theksuar se tifozët nuk do të kenë mundësi të hyjnë në stadium me bileta false sepse kanë një aparaturë e cila i identifikon ato dhe personat që do të tentojnë të mashtrojnë do të përballen me ligjin. Ministri është shprehur se nëse ka trazira do të jenë të detyruar që të marrin masa drastike për personat që prishin mbarëvajtjen e ndeshjes, duke i dënuar jo vetëm me gjobë por edhe me heqje lirie.
Taulant Balla ka theksuar se Policia e Shtetit disponon fotografitë dhe identitetet e të gjithë tifozëve që në ndeshjet e kaluara kanë shkaktuar trazira, dhe këta të fundit nuk do të lejohen të futen mbrëmjen e sotme në stadiumin ‘Air Albania’.
Ministri ka shkuar më tej duke i ‘kërcënuar’ tifozët kuqezinj, se nëse në ndeshjen e sotme me Çekinë do të ketë hedhje flakadanësh dhe ndërprerje të ndeshjes për shkak të tyre, ndeshja e ardhshme me Ishujt Faroe do të luhet pa tifozë.
Policia e Shtetit ka bllokua disa rrugë në kryeqytet të cilat do të hapen për qarkullim vetëm pas përfundimit të ndeshjes.