Familjet e dy vajzave të reja që dyshohet se vdiqën si rezultat i një sfide virale TikTok kanë paditur platformën e mediave sociale, duke pretenduar se algoritmet e saj “të rrezikshme” janë fajtorë për vdekjen e fëmijëve të tyre.
The Guardian raporton se prindërit e dy vajzave që vdiqën në një “sfidë të errësirës (Blackout Challenge)” të vitit 2021 në TikTok, e cila inkurajoi përdoruesit të mbyten deri sa të humbnin ndienjat, ngritën një padi të martën në gjykatën e lartë të qarkut të Los Anxhelosit. Të përfaqësuar nga Qendra e Ligjit për Viktimat e Mediave Sociale (SMVLC), një burim ligjor për prindërit e fëmijëve të dëmtuar nga varësia dhe abuzimi në mediat sociale, ata pretendojnë se “algoritmi i rrezikshëm” i platformës i shtyu me qëllim dhe në mënyrë të përsëritur videot e sfidës në burimet e fëmijëve, duke i nxitur ata për të marrë pjesë në sfidën që iu mori jetën.
“TikTok duhet të mbahjë përgjegjësi për nxitjen e përmbajtjes vdekjeprurëse për këto dy vajza të reja,” tha Matthew P Bergman , avokat themelues i SMVLC.
“TikTok ka investuar miliarda dollarë për të dizajnuar qëllimisht produkte që nxisin përmbajtje të rrezikshme që ai e di semund të rezultojë në vdekjen e përdoruesve të tij”- shton ai.
Tetë vjeçarja Lalani Erika Renee Walton nga Temple, njëra nga viktimat, përshkruhet si “një vajzë e re jashtëzakonisht e ëmbël dhe e këndshme” që “i pëlqente të vishej si princeshë dhe të merrej me makeup”. Ajo vdiq më 15 korrik të vitit 2021. Vdekja e saj u cilësua nga policia asokohe si “një rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjes për ‘Blackout Challenge’ të TikTok”, sipas ankesës.
Lalani kishte marrë një telefon dhuratë për ditëlindjen e saj në tetë në prill 2021 dhe “shpejt u bë e varur nga klikimi i videove të TikTok”, thuhej në ankesë. Ajo shpesh postonte video të saj duke kënduar dhe kërcyer, me shpresën për t’u bërë “TikToker e famshme”. Në korrik 2021, familja e saj filloi të vinte re shenja në qafën e Lalanit, të cilën ajo e shpjegoi si një aksident. Pa e ditur ata, ajo kishte filluar të merrte pjesë në sfidën virale, e cila ishte shfaqur për herë të parë në TikTokun e saj javë më parë. Ditën e vdekjes së saj, Lalani kishte kaluar orë të tëra në një udhëtim familjar duke parë video, përfshirë postimet e sfidës.
“Ajo besonte se nëse do të postonte një video të saj duke bërë sfidën Blackout, atëherë ajo do të bëhej e famshme dhe kështu vendosi ta provonte”, thuhej në ankesë. “Lalani ishte tetë vjeç në atë kohë dhe nuk e vlerësonte apo kuptonte natyrën e rrezikshme të asaj që TikTok po e inkurajonte të bënte.”
Viktima tjetër e quajtur, nëntë vjeçarja Arriani Jaileen Arroyo nga Milëaukee, mori një telefon kur ishte shtatë vjeç dhe përdorte TikTok disa herë në ditë, sipas ankesës. Ajo “gradualisht u bë obsesive” për postimin e videove të kërcimit në TikTok dhe u bë “e varur” nga aplikacioni. Në janar 2021, familja e Arrianit diskutoi me të një incident të një përdoruesi të ri të TikTok që vdiste si rezultat i një sfide, por Arriani i siguroi ata se ajo kurrë nuk do të merrte pjesë në video të rrezikshme.
Megjithatë, më 26 shkurt 2021 ajo u gjet pa ndienja nga vëllai i saj pesëvjeçar. Ajo u dërgua me urgjencë në një spital lokal, por më në fund ndërroi jetë.
“TikTok e dinte pa dyshim se sfida vdekjeprurëse e Blackout po përhapej përmes aplikacionit të tyre dhe se algoritmi i tyre po ushqente në mënyrë specifike sfidën e Blackout për fëmijët, përfshirë ata që kishin vdekur”, thuhet në ankesë.
Padia liston një numër ankesash kundër TikTok, duke përfshirë atë që algoritmi i tij promovon përmbajtje të dëmshme, lejon përdoruesit e mitur në aplikacion dhe nuk i paralajmëron përdoruesit ose kujdestarët e tyre ligjorë për natyrën problematike të aplikacionit.
Kompania është kritikuar në të kaluarën për lejimin e përhapjes së sfidave të rrezikshme. Mjekët raportuan se “sfida e arkës së qumështit” e vitit 2021, e cila inkurajoi përdoruesit të grumbullonin dhe të ngjiteshin në arkat e qumështit, çoi në dislokim të shpatullave dhe madje edhe lëndime të palcës kurrizore. Në vitin 2020, një vajzë 15-vjeçare vdiq pasi mori pjesë në “Sfidën Benadryl”, në të cilën përdoruesit morën një sasi të madhe antihistamines në përpjekje për të prodhuar efekte halucinogjene. Në vitin 2020, dy të mitur u akuzuan për sulm pasi morën pjesë në sfidën e “thyerjes së kafkës”, e cila shkaktoi një viktimë.
Avokatët e SMVLC pretenduan se kompania me vetëdije lejoi që një përmbajtje e tillë të përhapej në platformë sepse rriti angazhimin, numrin e përdoruesve dhe përfundimisht fitimin.
“TikTok i dha përparësi fitimeve më të mëdha të korporatave mbi shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve të tij dhe, veçanërisht, mbi shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve të cenueshëm që TikTok e dinte ose duhet të dinte se po përdorte në mënyrë aktive produktin e tij të mediave sociale,” thanë ata.
Familjet Walton dhe Arroyo po kërkojnë një shumë të papërcaktuar në dëmshpërblim dhe kanë kërkuar që gjyqi të zhvillohet në Kaliforni.