Aktori amerikan Matthew Perry, i njohur më së shumti për rolin e Chandler Bing në serialin televiziv të viteve ’90 Friends, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare. Aktori u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, thanë për mediat amerikane burimet policore.
Sipas mediave aktori u gjet i pavetëdijshëm në një vaskë me ujë të nxehtë në shtëpinë e tij. “Warner Bros TV”, i cili prodhoi serialin “Friends” u shpreh në një deklaratë se ” vdekja e mikut të tyre, të dashur Matthew Perry i ka shkatërruar”.
I lindur në Massachusetts në vitin 1969, Perry u rrit në Otava, Kanada, ku ndoqi shkollën fillore me Justin Trudeau, i cili më vonë u bë kryeministër kanadez. Perry u bë një yll ndërkombëtar në “Friends”, një shfaqje-komedi në të cilën luajtën bashkë Jennifer Aniston, Courteney Cox, David Schwimmer, Matt LeBlanc dhe Lisa Kudrow.
Perry luftoi për vite me varësinë ndaj ilaçeve kundër dhimbjeve dhe alkoolit dhe në shumë raste u trajtua në klinikat e rehabilitimit.