Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përsëriti sot se Aleanca duhet të sigurojë që Ukraina të marrë armët e nevojshme “për të fituar këtë luftë”. Ai bëri një deklaratë të fortë ku tha se duhet kuptuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk po përgatitet për paqe, por përkundrazi “po përgatitet për më shumë luftë”.
“Ne nuk shohim ndonjë tregues se Presidenti Putin po përgatitet për paqe, ajo që po shohim është e kundërta, ai po përgatitet për më shumë luftë, për sulme të reja. Kjo është një luftë rraskapitëse e shkatërrimit, pra një betejë logjistike,” shtoi ai, duke iu referuar nevojave të Ukrainës për më shumë armë dhe bisedime mbi furnizimin e mundshëm të avionëve në vendin e shkatërruar nga lufta.
Këto deklarata i bëri në një kohë kur ka deklaruar se nuk dëshiron që ta shtyjë më tepër mandatin e tij në krye të NATO. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodomir Zelensky ka bërë thirrje për më shumë armë në Ukrainë, si e vetmja mënyrë për të mundur Rusinë.
Në 24 shkurt bëhen 1 vit që kur lufta ka nisur dhe duket se do të vazhdojë edhe për më gjatë.