Në Napoli janë gati për festë! Mbrëmjen e sotme, ekipi i Luciano Spallettit mund të mbyll përfundimisht llogaritë e sezonit 2022-2023 në Serie A, pasi i duhet vetëm një pikë në transfertën e Udineses. Jugorët shkojnë për të luajtur për dy rezultate në “Friuli” dhe për të ngritur lart trofeun e tretë në histori. Një sukses që do të arrihej pas 33 vitesh mungesë me tifozët që tashmë kanë gdhendur në fanellat e skuadrës së zemrës numrin 3!
Në rast të një dështimi ndaj Udinese për të marrë pikë, Napoli do të shpresonte një objektiv të tillë në 5 duelet e mbetura, duke filluar më pas me Fiorentinën, rivalin e së dielës në stadiumin “Diego Maradona”. 15 mijë tifozë napoletanë kanë vendosur të mbështesin nga afër skuadrën, duke prenotuar vendin në stadiumin “Dacia Arena”. Përballja e Udinese do të ndiqet me tepër interes në shkallët e impiantit të Napolit. Klubi do vendos një monitor gjigant në mesin e fushës për ta kthyer më pas arenën në një skenë feste. Biletat janë shitur tërësisht, teksa prezent do të jetë edhe presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis.