Rafael Nadal lajmëroi tërheqjen nga turnetë e Indian Wells dhe Miami Open për shkak të një dëmtimi fizik. 22 herë fituesi i Grand Slameve ka një problem serioz në kofshën e majtë, që e ka penguar atë që të japë më të mirën në fushë që nga turneu i Australian Open.
Nadal lajmëroi në Twitter se kishte nisur fazën e rehabilitimit, ndërsa ky dëmtim e bën të paqartë rikthimin e tij. Spanjolli 36-vjeçar, ishte finalist vitin e shkuar në Indian Wells, ndërsa e ka fituar këtë event tre herë.
Ai do ta ketë të pamundur të konkurrojë edhe Miami Open, një tjetër turne Masters 1000 që fillon më 22 mars, e ku për herë të fundit ka marrë pjesë në fund të 2017-ës. 36-vjeçari nuk e ka fituar asnjëherë këtë turne, ndërsa pesë herë ka dalë nënkampion.
Objektivi i spanjollit do të jetë që të jetë në formën më të mirë fizike në French Open, që nis në fund të muajit maj. Nadal e ka fituar Roland Garros 14 herë në karrierën e tij.