Fotot e fundit publike të Kate Middleton janë të datës 25 dhjetor, kur Princesha e Uellsit kaloi Krishtlindjet me familjen në Sandringham. Që prej atëherë, nuk ka pasur më asnjë fotografi të re të saj.
Në këtë periudhë kohore, Kate Middleton mbushi 42 vjeç, u shtrua në spitalin e Klinikës së Londrës më 16 janar për t’iu nënshtruar një “operacioni të planifikuar abdominal”, doli pas dy javësh dhe ndodhet në fazë rikuperimi që nuk duhet të përfundojë para 31 marsit.
Shumë ditë pa princeshën për opinionin publik, e detyroi Buckingham Palace të bënte mohime të shumta në fillim të shkurtit. Në veçanti, deklaratat e një komentuesi spanjoll, sipas të cilit Middleton ishte vendosur në koma të shkaktuar pas komplikimeve kirurgjikale, të cilat u hodhën poshtë menjëherë nga The Times duke i konsideruar si “shpikje” dhe “marrëzi totale”.
Por teoritë e konspiracionit vazhduan, me pretendimin se ka një hendek të madh mes deklaratave të Buckingham Palace dhe realitetit. Një humnerë që e ka shndërruar internetin në një vatër të teorive konspirative për operacionin e saj për të cilin u saktësua vetëm se nuk ishte një operacion për kancer, për rikuperimin e saj dhe për një mungesë që më pas përkoi me problemet shëndetësore të Charles III. Këto dy muaj mungese kanë ushqyer zërat që pyesin çfarë ndodhi me princeshën!