Partia Demokratike e Sali Berishës ka hedhur akuza në drejtim të Ministrisë së Jashtme lidhur me emërimin si Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll Juna Harkën. Me anë të një reagimi të zëdhënëses së tyre, Floriana Garo tha se bashkëshorti i Harkës është shtetasi turk Ramazan Keskin, kreu i një organizate kriminale aktive në narko-trafik. Sipas PD ndaj Keskin ka një urdhër-arrest europian që në vitin 2020.
‘Në fund të shkurtit, ‘ministrja e investimeve strategjike të brendshme’ dhe ‘punëve të pista të jashtme’, Olta Xhaçka, ka emëruar Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll zonjën Juna Harka. Emërimi në vetevete nuk është gjë e re, sepse është vazhdim i repertorit të njohur të degradimit të pamëshirshëm të shërbimit të Jashtëm. Si shumë të tjerë e të tjera, znj. Harka nuk ka punuar as edhe një ditë në diplomaci. Lajmi, dhe bëhet fjalë për lajm të keq, qëndron te fakti se bashkëshorti i Juna Harkës, shtetasi turk Ramazan Keskin, është kreu i një organizate kriminale aktive në narko-trafik. Për të ka një urdhër-arrest europian që në vitin 2020. Në fillim të shkurtit të këtij viti, dy javë përpara se Juna Harka të emërohej në Stamboll, SPAK vendosi vënien në sekuestro të pasurive në Shqipëri të bashkëshortit të saj Keskin. Megjithëkëtë, znj. Harka-Keskin, jo vetëm u emërua në Ambasadë, por u pajis shumë shpejt me pasaportë diplomatike”, tha Garo.
Pas kësaj akuze, ka reaguar Ministria e Jashtme. Sipas Ministrisë së Jashtme Harka nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit, dhe rrjedhimisht nuk ka patur asnjë komunikim me autoritetet turke për këtë emërim. Po ashtu, Harka në deklaratën e saj rezulton e pamartuar.
“Pas emërimit, ajo nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. Gjatë këtij procesi verifikimi, znj. Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale”,- deklaron Ministria e Jashtme.