Pasi siguroi grupet e Champions League për herë të tretë radhazi, Stefano Pioli kërkon investime të rëndësishme te Milani. Fitorja minimale 1-0 ndaj Juventusit me golin e Zhiru ka shtuar urinë në kampin e kuqezinjve, të cilët tashmë dëshirojnë që të shkojnë përtej raundit gjysmëfinal në turneun më të rëndësishëm Europian.
“Nëse duam të jemi konkurrues në dy turne, është e qartë se skuadra duhet të përmirësohet. U përpoqëm që të ishim konkurrues, por na mungonte diçka. Tani po e shijojmë këtë fitore dhe kualifikim. Ne kemi nevojë për lojtarë të fortë për të ngritur nivelin. Nuk më intereson nëse është i ri apo jo, më pëlqen të stërvit lojtarë të rinj, por na duhen më shumë opsione. Për të tentuar titullin dhe Ligën e Kampionëve kemi nevojë për lojtarë të fortë”, u shpreh trajneri i Milanit, Stefano Pioli.
Eliminimi nga Europa League dhe dënimet nga prokuroria duket se kanë goditur fort Juventusin e këtij sezoni. Gjithsesi, trajneri Massimiliano Allegri beson shumë tek skuadra që ka, për të cilin pranon se ka baza të forta për të ardhmen.
“Ishte një sezon anormal. Nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi jashtë fushe, ne do të kualifikoheshim sërish në Champions League. Sezoni ynë përfundoi me humbjen ndaj Seviljës. Ne do të dalim të forcuar nga kjo situatë. Juventusi duhet të ketë gjithmonë ambicie për të fituar, por ka edhe klube të tjera. Duhet të përpiqemi ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri.
Në javën e fundit të kampionatit, Milani sfidon Veronën që lufton për mbijetesë, ndërsa Juventus luan ndaj Udinese, me shpresën për tu kualifikuar në Europa League përmes kampionatit, gjithmonë nëse nuk vjen ndonjë penalizim nga UEFA.