Kualifikimi në çerekfinalen e Kupës së Italisë riktheu buzëqeshjen në kampin e Milanit. Katër gola të shënuar ndaj Kaljarit, për të ulur disi tensionin tek trajneri, Stefano Pioli. E ardhmja e italianit ishte vënë seriozisht në rrezik, pasi ishte shumë pranë shkarkimit. Gjithsesi, tashmë kursi ka ndryshuar dhe Pioli duket më i lumtur në Milano. Entuziazmi i shtuar ka bërë që italiani të zbulojë edhe objektivat.
“Duhet të besojmë dhe të provojmë. Do të jetë një kalendar i gjatë ndeshjesh, pasi duhet të bëjmë mirë në kampionat dhe Europa League. Këto dy kompeticione janë prioritet kryesor sepse ato na japin mundësi për tu kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Por, ne pretendojmë edhe Kupën e Italisë’’, u shpreh trajneri i Milanit.
Në fitoren ndaj Kaljarit shkëlqyen futbollistët e rinj, mbi të gjitha Traore. Lojtari i skuadrës Primavera shënoi edhe një prej golave të triumfit, për të debutuar kështu tek skuadra e madhe.
“Lojtarët e rinj dëshmuan se janë vendimtar. Nuk do të konsiderohen vetëm si opsione emergjente, por alternativa të nevojshme. I bëra këto zgjedhje sepse i përshtaten momentit. Ky është një sukses për klubin’’, u shpreh Stefano Pioli.
Milan shpreson që të fitojë këtë trofe pasi mungon në vitrinën e titujve që nga viti 2003.