Pas lirimit nga qelia, ligjvënësja e BE-së Eva Kaili thotë se ajo u burgos gabimisht pasi kaloi më shumë se katër muaj në burg si pjesë e një hetimi për korrupsion në Parlamentin Evropian.
“Më futën në burg për diçka në të cilën nuk isha e përfshirë”, tha Kaili për të përditshmen franceze Libération në intervistën e saj të pare që kur u arrestua në hetimin “Qatargate” dhjetorin e kaluar.
“Është kaq e qartë se unë nuk kam asnjë rol në këtë rast,” tha eurodeputetja greke.
“Gjithçka që kam thënë apo bërë është publike, përfshirë Katarin, dhe nuk kam asnjë mundësi të ndikoj në Parlamentin Europian”.
Libération tha se intervista u krye në rezidencën e Kailit në Bruksel më 25 prill, 11 ditë pasi ajo u lirua nga burgu në arrest shtëpiak, por edhe arresti shtëpiak i është hequr më 25 maj.
Në intervistë, Kaili theksoi se ajo “nuk u përmend kurrë” në diskutimet midis ish-deputetit italian Pier Antonio Panzeri, drejtuesi i dyshuar i një rrjeti ryshfeti që arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me hetuesit belgë në janar, dhe ish-asistentit të tij, Francesco Giorgi – i cili është edhe partneri i Kailit — të cilin policia e kishte vëzhguar.
Kaili u burgos në dhjetor si pjesë e një hetimi të gjerë korrupsioni nga autoritetet belge nëse vendet e huaja, përfshirë Katarin dhe Marokun, ndikuan ilegalisht në punën e Parlamentit Evropian. Arrestimi i saj erdhi pasi policia belge gjeti 150,000 euro nga apartamenti i saj – ku jetonte me Giorgi-n – dhe një çantë plot me para që mbante babai i saj.