Vazhdon tymnaja rreth të ardhmes së Lionel Messit. Argjentinasi duket se nuk e ka të gjatë qëndrimin te PSG dhe një fakt i tillë në Francë tingëllon si i sigurt. Sipas asaj që raporton prestigjiozja “L’Equipe”, 35-vjeçari do të qëndrojë në Paris vetëm nëse do bindej për të ulur pagën e tij vjetore. Klubi i kërkon të paktën uljen me ¼ të saj dhe në kontratë të hedh firmën për një sezon me opsion edhe për një tjetër vit. Situatë që nuk pëlqehet nga Messi, për më tepër, argjentinasi kërkon garanci sportive, me projektin e PSG-së që po dështon.
Messi mbetet ndër lojtarët më të paguar në kampionat, teksa para tij gjendet vetëm Kylian Mbappe. Eliminimi nga Liga e Kampionëve ka zbehur shanset e kampionit të Botës për të qëndruar në Paris, teksa dy humbjet e fundit në kampionat dhe fishkëllimat e tifozëve e kanë shtyrë të mendoj seriozisht largimin. Alternativat nuk janë të pakta në tavolinën e Messit. Përveç faktit që mund të qëndrojë në Francë ka si opsion edhe rikthimin në Barcelonë, firmën në MLS dhe kalimin në Arabinë Saudite për të dueluar me rivalin e tij më të madh, Cristiano Ronaldo.