Lionel Messi shpenzoi rreth 200 mijë euro për 35 iPhone të larë në ar për kombëtaren argjentinase të futbollit, që u kurorëzua kampione e botës në Katar 2022.
Ylli argjentinas porositi telefonat e larë në flori 24 karatësh për çdo pjesëtar dhe kërkoi që t’i sillnin në apartamentin e tij në Paris. Secili telefon ka emrin e lojtarit, numrin dhe logon argjentinase të gdhendur në të, raporton tabloidi anglez “The Sun”.
Kapiteni i bardhekaltërve dëshironte që të bënte diçka të veçantë dhe të këndshme për të festuar momentin e tij më krenar. Ideja e Mesit ishte që të mos t’u dhuronte shokëve të përfaqësueses dhuratën e zakonshme, që është ora, por diçka më speciale dhe u bind menjëherë kur iu sugjeruan celularët e personalizuar.
Argjentina fitoi për herë të tretë në histori, titullin e kampiones së botës, në eventin që u zhvillua në Katar 2022. Mesi luajti një rol kyç në këtë sukses, duke u shpallur edhe futbollisti më i mirë i turneut.