Superliga do të rikthehet të luajë në mesjavë javën e 11-të të saj. Të mërkurën dhe të enjten, 10 skuadrat elitare të futbollit shqiptar do të zbresin në fushë për të synuar maksimumin. Bylis-Teuta është përballja më interesante e kësaj jave, për shkak edhe të pozicionit të dy klubeve në renditje. Ballshiotët vijnë pas katër humbjeve radhazi dhe kundër durrsakëve të fundit të tabelës do kërkojnë rikthimin tek pikët. Një sfidë që premton shumë emocione për tifozët, pasi në fushë do të jenë respektivisht vendi i 8-të dhe i 10-të. Po në orën 13:00 të kësaj të mërkure do të luhet edhe dueli tjetër mes Erzenit dhe Kastriotit. Shijakasit janë ekipi surprizë deri në këtë pikë të sezonit, dhe pas pikës së rrëmbyer ndaj Vllaznisë do kërkojnë që të shkaktojnë befasi edhe përballë krutanëve të mesit të tabelës.
Ndërkaq të enjten, kalendari i Superligës premton të tjera emocione. Tirana-Egnatia është ajo që tërheq më shumë vëmendjen, kjo e ndikuar edhe nga pozicioni i skuadrave në renditje. Bardheblutë synojnë që t’i rrëmbejnë kreun Partizanit pavarësisht se rrogozhinasit nuk janë një “kockë” aspak e lehtë. Ishin pikërisht këto të fundit që i dhuruar asist kampionëve të vendit për tu afruar me vetëm një pikë me Partizanin kryesues.
Në Kukës luhet ‘Derbi i Veriut’, Kukësi-Vllaznia, një sfidë që skuadrat e shikojnë si idealen për të nisur ngjitjen në tabelën e renditjes. Humbja ndaj Tiranës ka lëkundur pozitat e trajnerit Dobi te verilindorët, të cilët do të kërkojnë që të marrin maksimumin ndaj Vllaznisë, të shokuar pas barazimit përballë Erzenit. Kukësi nuk merr pikë prej dy takimesh dhe përballë shkodranëve janë të uritur për një rezultat pozitiv. Përballje me tepër interes edhe ajo e Kurbinit, mes Laçit dhe Partizanit. Një përballje skajesh në tabelën e renditjes, por fusha pritet të tregojë diçka tjetër. Kurbinasit janë të etur për të marrë pikë dhe përpara do të kenë një Partizan të goditur rëndë pas humbjes 3-0 me Egnatian./ Klan News