Me mbi 750 gola në nivel klubesh dhe kombëtareje, Lionel Messi shkruan historinë me përfaqësuesen e Argjentinës. Pavarësisht se nuk realizoi, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ishte vendimtar në fitoren 2-0 që Argjentina siguroi ndaj Polonisë. “Pleshti” kishte mundësinë e artë për ta festuar me gol prezencën numër 22 në fushë në duelet e Kupës së Botës, askush më shumë se ai me kombëtaren argjentinase, por u neutralizua nga polaku, Shezni.
Ndaj kombëtares Europiane, Messi u bë edhe lojtari më i vjetër, 35 vjeç e 159 ditë që krijon më shumë se 5 raste në një ndeshje të Kupës së Botës, duke thyer rekordin e legjendës Maradona, kundër Nigerisë në vitin 1994. Messi ka shënuar tetë gola në 21 ndeshjet e Kupës së Botës, të shpërndara në 5 Botëroret ku ka marrë pjesë. Shifrat e vendosin atë në të njëjtin nivel me legjendën e ndjerë, Diego Maradona, i cili gjithashtu shënoi tetë gola në 21 ndeshje në Kupën e Botës.
Por tashmë, përveçse ka përmirësuar rekordin me prezencë në Botëror në 22 ndeshje, Messi është i favorizuar për të përmirësuar rekordin e golave të shënuar me fanellën e kombëtares në duelin e radhës ndaj Australisë. Lionel Messi ka shënuar 93 gola në 167 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave për Argjentinën. 35-vjeçari ka një rekord shumë më të mirë të golave në kualifikimet e Kupës së Botës, pasi ka shënuar 28 herë në 60 paraqitje./ Klan News