Daily Express në një artikull shkruan se Shqipëria pritet të ketë më shumë turistë, ndërsa The Guardian e ka listuar mes destinacioneve aventureske.
‘Prej vitesh Shqipëria ishte sekreti i ruajtur në Evropë, por tashmë po shëndërrohet në një destinacion pushimesh shumë të preferuar’, shkruan media britanike Daily Express që thotë se vendi ynë është një alternativë e mirë kundrejt Kroacisë më të famshme.
Në vitet e fundit, vendi ynë ka pasur një rritje të vizitorëve përfshirë britanikët të cilët kanë zbuluar ujërat e kristaltë të rivierës shqiptare, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura që mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë theksohet në artikull.
Shqipëria po përgatitet të mirëpresë më shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet për të bërë gati aeroportin e tretë në qytetin e Vlorës.
Gjithashtu thekson se me ndërtimin e aeroportit do të ofrojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar pasi kohëzgjatja e udhëtimit do të shkurtohet.
Përveç Daily Express edhe The Guardian ka bërë jehonë për turizmin në Shqipëri.
Ajo e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve që janë ideale për aventurierët.
Të apasionuarit pas këtij aktiviteti mund të eksplorojnë kodrat, luginat dhe pyjet, fshatrat mesjetare, kështjellat e rrënuara dhe manastiret bizantine.
The Guardian rekomandon që udhëtimi të nisë dhe të përfundojë në qytetin e Gjirokastrës të listuar në UNESCO.