Numri i të rriturve që jetojnë me diabet në botë pritet të dyfishohet deri në vitin 2050. Ky përfundim u arrit nga një studim i cili si shkaktar kryesor rendit obezitetin.
Vlerësimet parashikojnë se numri do të rritet nga 529 milionë në 2021 në më shumë se 1.3 miliardë në 2050. Asnjë vend nuk pritet të shohë rënie të shkallës së diabetit gjatë 30 viteve të ardhshme.
Ekspertët i shohin të dhënat si alarmante, teksa thonë se diabeti po kalon shumicën e sëmundjeve në nivel global, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm për njerëzit dhe sistemet shëndetësore.