Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti në Nju Jork një seancë të posaçme ku u miratua me 141 vota pro dhe 7 kundër rezoluta për paqen. Në këtë rezolutë, i kërkohet Rusisë largimi nga territori ukrainas. Mirëpo, nuk munguan as votat kundër. Përveç Rusisë, notat kundër erdhën nga Siria, Bjellorusia, Eritrea, Koreja e Veriut, Nikaragua dhe për herë të parë nga Mali.
Nga ana tjetër, Kina dhe India ishin ndër 32 vendet që abstenuan në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, edhe pse bënë thirrje për një paqe të drejtë në Ukrainë. Mes abstenimeve është edhe Kuba, Pakistani, Angola, Etiopia, Algjeria, Afrika e Jugut, Zimbabve.
Pjesëmarrëse në Asamble, Olta Xhaçka, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme deklaroi se Shqipëria mbështet plotësisht rezolutën.
“Kjo Asamble duhet të votojë në mbështetje të kësaj rezolute dhe të bëjë të qartë mbështetjen për një paqe të drejtë në Ukrainë në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, e cila duhet të garantojë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, që shtrihen në ujërat e saj territoriale. Në të njëjtën mënyrë, ne kundërshtojmë ndryshimet jo-miqësore të paraqitura nga Bjellorusia. Ato nuk përfaqësojnë një përpjekje për të kontribuar për paqen, por një përpjekje për të mbrojtur agresorin. Ato duhet të refuzohen dhe ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së të votojnë kundër”, tha ajo më herët.
Për Xhaçkën, agresioni rus ishte i paprovokuar dhe falë ndërhyrjes së OKB janë parandaluar pasoja edhe më dramatike nga ato që u përjetuan nga bota