Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të vizitojë Moskën më 20 mars, ku pritet të tregojë mbështetje për presidentin rus, Vladimir Putin. Një vendim i tillë është parë si një mbështetje e madhe e Kinës nga Rusisë në agresionin e saj ndaj Ukrainës.
“Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje aktuale të zhvillimit të mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik midis Rusisë dhe Kinës.
Është planifikuar, gjithashtu, një shkëmbim pikëpamjesh në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ruso-kinez në arenën ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në këtë njoftim e Kemlinit.
Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi vizitën që do të zhvillohet pas ftesës së Putinit drejtuar liderit kinez.
Kina ka propozuar një plan me 12 pika për paqen në Ukrainë, ku thekson nevojën që të dyja palët të de-përshkallëzojnë gradualisht konfliktin, duke çuar në një armëpushim gjithëpërfshirës, por nuk është pranuar nga SHBA-BE. NATO, në anën tjetër, tha se Kina nuk kishte shumë besueshmëri si ndërmjetëse për Ukrainën.
Ukraina, e cila thotë se do të marrë parasysh planet e paqes vetëm pasi trupat ruse të largohen nga territori i saj, nuk u pajtua me këtë plan pasi në të nuk nënvizohet se Rusia duhet të tërhiqet nga kufijtë e vendosur të vendit që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.