Në ditët e sotme, është normale që futbollistët e nivelit më të lartë të kenë miliona në llogaritë e tyre bankare. Nisur nga kjo, për yjet e këtij sporti është e thjeshtë që të shpenzojnë shifra të larta për t’i blerë vetes dhurata speciale.
Kështu ka vepruar edhe Kylian Mbappe, që ka marrë një nga automjetet më ekskluzive në treg, një Ferrari, vlera e të cilit shkon në gjysmë milioni euro. Por pavarësisht se në grazhdin e tij do të jetë një makinë, që për miliona njerëz është thjesht një ëndërr, sulmuesi i PSG, nuk do të jetë në gjendje që ta shijojë në maksimum.
Kjo sepse ylli i përfaqësueses franceze nuk ka patentë pavarësisht se është 24 vjeç. Kjo është arsyeja që çdo herë që ai ndodhet në një makinë, qëndron në ulësen e pasagjerit.
I pyetur, Mbappe tha se të qenit i suksesshëm që në moshë të re, ka edhe të meta. Ai nuk ka arritur që të marrë një leje drejtimi, duke qenë se gjithnjë ka pasur shofer. Por të zotëruarit e një Ferrari në garazh, sigurisht që do ta nxisë 24-vjeçarin që ta ngasë vetë një nga makinat më të adhuruara në botë.