Kilian Mbappe do të jetë një futbollist i Real Madrid duke nisur nga 1 korriku. Ylli francez ka firmosur kontratën me “Los Blankos” rreth dy javë më parë, raporton e përditshmja sportive spanjolle “Marka”.
Te PSG po përgatiten që të jetojnë muajt e fundit me 25-vjeçarin në “Park de Prins”. Presidenti i “galaktikëve” Florentino Perez arriti pas një kohe të gjatë që të bindte yllin francez për kalimin në “Bernabeu”.
Mbappe do të jetë pjesë e “Los Blankos” për pesë vitet e ardhshme. Ai e ka bërë zgjedhjen e tij dhe madje refuzoi edhe një ofertë të fundit të parisienëve.
Paga e yllit francez do të jetë e lartë, por jo larg emrave të mëdhenj të ekipit si Toni Kros dhe Luka Modriç. 25-vjeçari do të paguhet nga 15 deri në 20 milionë euro plus bonuse të lidhura me objektivat. Por do të ketë edhe një bonus mirëseardhjeje, që do të jetë më i ulët se sa ai i paracaktuar në 2022 prej 130 milionë eurosh.