Masakra e ndodhur ditën e djeshme në Greqi ka shqetësuar mbarë opinion publik shqiptar pasi si fillim u raportua se 6 viktimat ishin shtetas shqiptarë. Për ngjarjen e ndodhur në lindje të qytetit të Athinës, është konfirmuar se viktimat janë shtetas turk të cilët qarkullonin me dokumente franceze të falsifikuara. Lajmin se nuk janë shtetas shqiptarë e ka konfirmuar edhe zyra e ministrit të Brendshëm. Në njoftim thuhet:
‘Kemi ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke, jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE’.
Mediat greke bëjnë me dije se shkak për ekzekutimin e tyre mund të jetë bërë prishja e pazareve të drogës, ndërsa po vëzhgohen kamerat e sigurisë për kapjen e ekzekutorëve. I çuditshëm për policinë është fakti se viktimave nuk u janë gjetur armë.
Në këtë ekzekutim nuk u përdorën armë ushtarake të tipit kallashnikov, por pistoleta të kalibrit 9 mm. Në vendngjarje u grumbulluan më shumë se 25 gëzhoja.