Pas ngjarjes së rëndë që tronditi për së dyti Beogradin, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ai ka shprehur ngushëllime për të gjithë familjet e viktimave dhe ju ka uruar shërim sa më të shpejtë për të gjithë të plagosurit.
Vuçiç i ka cilësuar të dyja ngjarjet e rënda si sulm ndaj Serbisë dhe se të gjithë prindërit në të gjithë vendin janë të shokuar dhe kanë frikë për fëmijët e tyre. Presidenti serb u shpreh se ngjarjet që po ndodhin në vendin e tij janë tragjedi të mëdha që nuk dinë sesi do t’i menaxhojnë.
‘Në emër tim dhe anëtarëve të qeverisë, shpreh ngushëllimet e mia për të vrarët në territorin e Mlladenovcit, Dubonë. Për ne nuk ka tragjedi më të madhe. Kemi humbur shumë njerëz. Pas vrasjes së fëmijëve në shkollë të gjithë ishim në gjendje shoku. Deri më tani, policët tanë kanë pasur obligim të vizitojnë një ose më shumë shkolla. Do të vendosim 1200 policë të rinj dhe do të dërgojmë 1000 policë në shkolla duke synuar reduktimin e dhunës në mesin e bashkëmoshatarëve. Kushdo që mban armë për të cilën nuk ka leje do të dënohet edhe deri në 15 vjet. Masa ndëshkuese parashikohen edhe për mbajtjen pa leje të armëve si thika, në mënyrë që sende të tilla të mos shfaqen në shkolla’, u shpreh Aleksandar Vuçiç.