Martomë babë, s’ka problem se njerëzit thonë se ai është vrasës. Babë komshinjtë dhe njerëzit thonë se burri im i ardhshëm në vitin 2003 ka përdhunuar kunatën e tij dhe ka marrë peng kunatën tjetër e për këtë është dënuar me 2 vite burg dhe ish-gruaja e tij e ka pranuar prapë pas kësaj, nuk besoj se është problem babë. Unë u jam bërë barrë e di, jemi shumë njerëz në familje dhe unë nuk punoj. Ka ardhur koha të iki tek burri im dhe t’ju liroj këmbët. Boll më keni mbajtur dhe më keni ushqyer. Thuaji shkojsisë po babë. E di babë? Në vitin 2007, Dani, burri im i ardhshëm ka vrarë me thikë gruan e tij Dafina Havaljen dhe për këtë është dënuar me 24 vjet burg por ka marrë gjykim të shkurtuar dhe në vitin 2016 është liruar. Sistemi i drejtësisë e di më mirë apo jo babë? Po të ishte vrasës nuk do ta kishte liruar apo jo babë? Jepja fjalën se do të shkoj nuse në derën e tij sepse tashmë duhet t’i dalë vetë për zot vetes sime. Këto akuza i kam dëgjuar nga të tjerët, nuk besoj se janë të vërteta. Njerëzit flasin, ti e di.
Madje më kanë thënë edhe që është arrestuar se ka vjedhur disa banesa në Durrës, madje tani shpejt, në shkurt të 2022. S’ka rëndësi shumë tani. I thamë po. Nuk kam frikë babë jo.
Babë, jemi në qershor 2022, e kam kallëzuar burrin tim në polici sepse më ka dhunuar por unë e di që do lirohet babë, siç kanë bërë gjithmonë, madje më ka kërcënuar me jetën tënde babë, por ti mos kij frikë.
Gjëma e tij e fundit ishte sot babë, ai plagosi të dashurën e tij me të cilën më tradhtonte babë, erdhi në shtëpi po ti nuk ishe. Vrau motrën time dhe kunatën, më plagosi rëndë mua dhe nënën time. Falë Zotit ti nuk ishe në shtëpi babë. Atij nuk i interesoi se në dhomën ku kreu vrasjen ishte dhe fëmija e tij 1-muajsh. Më pas, siç më treguan prapë të tjerët babë, vrau një 31-vjeçare për hakmarrje.
Babë, ne po luftojmë me jetën. Ah sikur mos të kisha dëgjuar ty babë. Ah sikur të isha bërë shërbëtore në shtëpinë time dhe fëmija im mos mbetej jetim me babë gjallë. Gruaja t’u plagos për fajin tim, vajza t’u vra duke lënë jetim një fëmijë, djalit tënd i vdiq gruaja bashkë me fëmijën në bark. Fëmijën tim e bëre fëmijën e një vrasësi, përdhunuesi, hajduti dhe mashtruesi. Nipi yt do jetë gjithmonë fëmijë pa babë dhe unë ju mbeta sërish në derë. Më fal që u ktheva prapë në shtëpi…bab./ Klara Murra