Guardia di Finanza ka sekuestruar 611 kg kanabis në një automjet tip “TIR”, me targa spanjolle. Mjeti po qarkullonte në unazën e qytetit në Romë, ndërsa në pranga kanë rënë dy shtetas spanjollë, të cilët dyshohen të jenë korrierët e drogës.
Operacioni i ndalimit të mjetit është bërë pas disa manovrave të dyshimta që drejtuesi i TIR bëri në dalje të unazës. Pas kësaj, patrulla e Guardia di Finanza e Romës, vendosi të kryej kontrollin e rastit, shkruajnë mediat italiane.
Personat që ndodheshin në makinë u shfaqën të nervozuar, duke sjellë dyshime e më pas një analizë më teknike e automjetit zbuloi mes arkave me kafe e pudër u gjetën të fshehura 611 kilogramë hashash.
Sipas financës italiane droga e gjetur kapte një vlerë rreth 2.5 milionë euro. Dy personat që ndodheshin në automjet janë ndaluar dhe ndodhen në burg, ndërsa një process hetimi ka nisur nga autoritetet italiane.