Martin Grifiths, Zëvendës/Sekretari i Përgjithshëm i OKB- së i ngarkuar me koordinimin e çështjeve humanitare, tha të hënën se që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, pothuajse një vit më parë, 13 milionë ukrainas janë larguar nga vendi.
Duke folur në takimin e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, Grifiths theksoi gjithashtu se 17.6 milionë qytetarë ukrainas, ose rreth 40% e popullsisë kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Zyrtari i lartë i OKB-së sqaroi se do të paraqesë planin e këtij viti për të ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, që ai vlerëson se do të kushtojë 3.9 miliardë euro.
Konflikti “nuk ka shenja” se po shkon drejt de-përshkallëzimit, theksoi ai.
Sipas Griffiths, të paktën 7,000 civilë janë vrarë që kur ushtria ruse pushtoi Ukrainën më 24 shkurt 2022, bazuar në të dhënat e verifikuara nga OKB. Mirëpo “numri aktual i vdekjeve është padyshim më i lartë,” tha ai.
Siç ka theksuar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.