Forcat ukrainase po mbrojnë pozicionet e tyre sot në Bahmud, qyteti tani më i shkatërruar në pjesën lindore të vendit që i është nënshtruar sulmeve të përsëritura të forcave ruse. Moska duket të jetë në epërsi dhe me shumë gjasa do të regjistrojë fitoren e saj të parë të madhe në konflikt në më shumë se gjysmë viti.
Nga këndvështrimi i Rusisë, kapja e Bahmudit do t’i hapë rrugën forcave të saj për të kontrolluar plotësisht zonën industriale të rëndësishme strategjike të Donbassit. Kjo ishte që në fillim një nga objektivat kryesore të pushtimit rus të territorit ukrainas një vit më parë, më 24 shkurt 2022.
Në informimin e përditshëm të mëngjesit për situatën në fronte, shtabi i përgjithshëm ukrainas tha sot se forcat ruse vazhdojnë të përparojnë në drejtim të Bahmudit dhe po “bëjnë bastisje në qytet”.
Stafi shtoi se sulmet në Bahmud dhe komunitete të tjera në Donetsk u zmbrapsën. Presidenti, Volodomir Zelensky tha se forcat ukrainase po “mbajnë nën kontroll çdo sektor të frontit, por situata duket të jetë e vështirë”.
Kievi thotë se Bahmud ka vlerë të kufizuar nga pikëpamja strategjike.
“Mendoj se herët a vonë mund të na duhet të largohemi nga Bahmud. Nuk ka kuptim ta mbash atë me çdo kusht,” i tha Serhiy Rahmanin një radioje ukrainase mbrëmë.
“Por tani për tani, ne duhet ta mbrojmë Bahmudin, me qëllime të ndryshme, së pari të shkaktojmë sa më shumë viktima mbi Rusinë dhe së dyti ta bëjmë Rusinë të shpenzojë municionet dhe burimet e saj,” vazhdoi zoti Rahmanin, duke këmbëngulur se asnjë linjë mbrojtjeje nuk duhet lejuar të rrëzohet.
Beteja për Bahmudin filloi shtatë muaj më parë. Megjithatë, në javët e fundit rusët kanë përparuar në tre anë të saj dhe forcat ukrainase kanë mbetur vetëm një dalje, në perëndim.