Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë është intensifikuar edhe më tepër tani që po futemi në muajt e vjeshtës. Khersoni është një qytet që mbart rendësi të madhe strategjike.
Ai u pushtua që në fillim nga rusët, ndërkohë që Presidenti Zelensky është betuar se ukrainasit do ta rimarrin në shtator. Po a lidhet ky betim me një raketë të re që ukrainasit kanë filluar të përdorin?
Deri më tani Ukraina ka forcuar ushtrinë dhe municionet e saj me ndihmën e SHBA-së që nga dita që rusët u futën në territorin e tyre. Nisur nga situata e krijuar, Senati i SHBA-së ka shpallur vazhdimisht paketa mjaft të mëdha të ndihmës me armë për Ukrainën.
Disa nga këto armë janë jashtëzakonisht të mira dhe shumë të suksesshme në shkatërrimin e mjeteve të rënda ushtarake ruse të mbetura nga Bashkimi Sovjetik.
Analistët ushtarakë u habitën kur ushtria e Ukrainës tha në fillim të këtij muaji se kishte shkatërruar katër sisteme ruse të mbrojtjes ajrore S-300 dhe stacion radari.
Të gjithë po flasin për raketën “misterioze”
Analistët ushtarakë janë duke folur nga dita në ditë për raketën e re që ka marrë në përdorim Ukraina, e cila është e aftë të shkatërrojë objektiva deri në 300 kilometra larg.
Mendohet se këto sisteme anti-ajrore ruse janë shkatërruar pikërisht me këtë raketë, e cila merr sinjalin nga radari i tyre dhe automatikisht orientohet në drejtim të sistemeve duke i shkatërruar ato.
Bëhet fjalë për raketën amerikane AGM-88, të cilën teknikët ukrainas e bënë të mundur që të lëshohej edhe prej avionëve të bllokut të lindjes siç janë Mig-29.
Si funksionon raketa?
Edhe pse prodhim i 40 viteve më parë, raketa funksionon shumë mirë kundrejt objektivave ushtarake siç janë sistemet anti-ajrore, të cilat janë të projektuara të mbrojnë bazat prej sulmeve me avionë apo raketa.
Sa i përket ukrainasve, ajo lëshohet nga një avion në një lartësi të caktuar dhe më pas orientohet vetë duke marrë sinjalin prej vetë sistemeve ant-ajrore të rusëve, të cilat më pas shkon dhe i shkatërron.