Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2026. Federata Argjentinase e Futbollit lajmëroi se ka vendosur që t’i besojë teknikut 44-vjeçar edhe për tre vite, pasi ai udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kupën e Botës Katar 2022.
Skaloni ishte në stol për bardhekaltrit, të cilët u shpallën kampionë në vitin 2021 në Copa America. Mes 44-vjeçarit dhe presidentit të federatës argjentinase të futbollit Claudio Tapia, pati një takim në Paris, ku edhe u arrit akordi për vazhdimin e bashkëpunimit.
Tapia udhëtoi në Paris për të marrë pjesë në çmimet ‘The Best’ të FIFA-s, ku Skaloni u përzgjodh si “Trajneri më i Mirë i Vitit 2022”. Scaloni do të ketë misionin që të udhëheqë Argjentinën drejt mbrojtjes së titullit kampion bote në botërorin që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në 2026.
Ai u ul në stolin e bardhekaltërve në 2018 si trajner i përkohshëm, pasi Horge Sampaoli u largua nga detyra e trajnerit pas eliminimit të kombëtares në të 16-at e Botërorit.