Kombëtarja argjentinase ka nisur përgatitjet për duelet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Ekuadorit. Skuadra e teknikut Lionel Scaloni kërkon ta nis me këmbë të mbarë aventurën në eliminatore, duke u mbështetur plotësisht edhe te ylli i futbollit, Lionel Messi. 36-vjeçari do të udhëheqë Argjentinën në ndeshjet e tyre hapëse kundër Ekuadorit dhe Bolivisë, ndeshjet e para ndërkombëtare të kapitenit që nga bashkimi me Inter Miami të Major League Soccer.
Sulmuesi po kalon moment të mirë në karrierën e tij, pasi që prej korrikut kur firmosi në Florida, ka shënuar 11 gola në 10 takime dhe fituar Kupën e Ligës. Kjo ishte hera e parë që e gjithë skuadra e kampionëve të botës u takua në përgatitje për kualifikueset e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut 2026. Argjentina do të presë kombëtaren e Ekuadorit në Buenos Aires më 7 shtator dhe pesë ditë më vonë do të udhëtojë për të luajtur kundër Bolivisë.