Ligji i ri i Rishi Sunak për të ndaluar azilin, e kaloi pengesën e tij të parë në Dhomën e Komunave mbrëmë. Mirëpo, ish-kryeministrja Theresa May ka dalë kundër duke shprehur një sërë shqetësimesh për pasojat e tij.
May paralajmëroi se viktimat e skllavërisë moderne do të jenë ‘dëm kolateral’ si rezultat i goditjes së re të krizës së emigrantëve. Ajo është i mendimit që kontrabandistët do e gjejnë një tjetër mënyrë për të ardhur në Britaninë e Madhe.
“Sa herë që mbyllni një rrugë, migrantët dhe kontrabandistët e njerëzve gjejnë një rrugë tjetër. Kushdo që mendon se ky projektligj do të trajtojë njëherë e përgjithmonë çështjen e migracionit të paligjshëm e ka gabim”, ka thënë Theresa May.
Mirëpo, Sunak nuk heq dorë.
“Unë jam i bindur se ligji ynë përfaqëson mënyrën më të mirë për të zgjidhur këtë problem, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë ai.
Sipas projektligjit, kushdo që arrin në Britani duke kaluar Kanalin me një varkë të vogël – ose me ndonjë mjet tjetër të paautorizuar nuk do të jetë më në gjendje kurrë të hyjë në Britaninë e Madhe. Në vend të kësaj, ata do të kenë të drejtë për azil vetëm në një vend të tretë si Ruanda. Një projektligj i tillë prek më së shumti shqiptarët,shumë prej të cilëve ikin në mënyrë ilegale drejt Britanisë.