Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin e papërgjegjshmërisë së menaxhimit të borxhit publik.
Në një komunikim me gazetarët, ish-Kreu i Shtetit tha se situata ekonomike në vend po shkon drejt kolapsit total.
Sipas Ilir Metës, situata me borxhin publik është tejet alarmante, për shkak të mungesës së transparencës.
“Do të doja të ktheheshim në situatën e brendshme, në mënyrë të veçante në atë ekonomike. Kemi paralajmëruar që papërgjegjshmëria e menaxhimit të borxhit publik po çon drejt një kolapsi të plotë të situatës ekonomike në vend. Borxhi publik, i cili është ende i paqartë për shkak të mungesës së transparencës tashmë rrezikohet edhe nga faktorë të rinj, sikurse kemi të bëjmë me rritjen e normës së interesave. Banka është angazhuar në rritjen e normës së interesave dhe ka paralajmëruar se ky është një proces që mund të vazhdoje. Borxhi i brendshëm është mbi 35% e borxhit total. Borxhi i jashtëm është 34% e borxhit total dhe interesat janë rritur. Parashikohet një rritje në shtatori dhe çdo borxh i jashtëm do të ndikohet nga rritja e normës së interesit.”, tha Meta.
Më herët, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se PS po përgatit ligjin anti-Meta, por ai i qëndroi versionit se akuzat e Autoritetit të Dosjeve ishin një histori e sajuar dhe e mohuar nga vetë personi i denoncuar.
“Ligjet do t’ia fusim atje ku atij i shijon më shumë Ai do përgjigjet me ligjet që ka firmos vetë dhe për firmat që ka hedhur vetë. Për inceneratorët dhe afera të tjera të rënda” kështu iu përgjigj Meta pyetjes së gazetarëve që i kujtuan nismën ligjore që përjashton nga politika ish bashkëpuntorë të sigurimit, nisur nga deklarata e Autoritetit të Dosjeve që e akuzoi Metën se ka spiunuar një shokun e tij të shkollës.