Te Barcelona shqetëson shumë forma e sulmuesit Robert Lewandowski. Kapiteni i Polonisë ka shënuar vetëm tre gola me blaugranët që nga muaji shkurt. Që kur u bashkua me Barcelonën në verë, 34-vjeçari ka realizuar 27 gola në total në të gjitha kompeticionet, përfshirë 17 në La Liga.
Por mungesa e golit të bomberit nuk e shqetëson trajnerin Ksavi, i cili tha për mediat se halli i tij nuk është Lewandowski, por fitimi i titullit kampion në La Liga. Edhe në përfaqësuesen polake, sulmuesi 34 vjeçar nuk ka arritur që të gjejë golin duke sjellë shqetësim.
Në përballjen që Shqipëria pati kundër Polonisë më 27 mars, lojtari nuk shënoi sërish, duke shtuar kritikat ndaj tij nga mediat polake. Katalanasit humbën shansin për të kryesuar me 15 pikë diferencë në krye të La Ligës, pasi barazoi me Gironën.
Robert Lewandowski i pati një shans të artë për të hapur rezultatin pas katër minutash, por gaboi në finalizim. Portieri i Gironas, Paulo Gazzaniga, bëri disa pritje shpëtimtare në sfidën në “Kamp Nou”.
Kjo është përballja e tretë në këtë sezon, që katalanasit humbin pikë në shtëpi. Por, pavarësisht kësaj, diferenca me ndjekësit e Realit shkon në 13 pikë, pas hapit fals të madrilenëve në “Bernabeu” kundër Villarreal.