Legalizimi i basteve sportive ishte një plan i mirëmenduar i qeverisë, shumë kohë përpara se të shfaqeshin në publik idetë e para dhe qeveria të pretendonte se po merr në shqyrtim kërkesën e bërë nga grupet sportive. Në dokumentin e strategjisë së të ardhurave 2022-2026 përgatitur nga Ministria e Financave, një ndër ndryshimet e parashikuara është pikërisht ligjërimi dhe taksimi i këtij aktiviteti. Dokumenti është publikuar për herë të parë në shkurt të vitit 2022.
Në paragrafin ku shqyrtohet taksimi i basteve sportive, shkruhet se ndonëse ato janë ndaluar që në fund të vitit 2018, veprimtaria e tyre ka vazhduar dhe “është vënë re” nga MFE. Në të njëjtin tekst, thuhet se identifikimi dhe ndjekja e tyre është e vështirë dhe për këtë zgjidhja më e mirë është formalizimi, licencimi dhe mbikëqyrja e tyre, me qëllim deklarimin e të ardhurave që përfitohen jashtë sistemit tatimor. Një vendim i tillë do të rriste të ardhurat tatimore me 0.25% të PBB-së, sipas dokumentit të Strategjisë.
“Taksa për kategorinë “baste sportive” në ligjin e lojërave të fatit:
Kategoria e lojërave të fatit “baste sportive” u abrogua nga ligji në fund të vitit 2018. Shkaqet e abrogimit të kësaj kategorie lidheshin me disa pasoja të krijuara nga numri shumë i lartë i pikave të basteve në çdo qytet dhe pasojat sociale të krijuara nga një kategori e caktuar lojtarësh. Në vitet në vijim, pas mbylljes së pikave të basteve, vihet re se vazhdon vendosja e basteve por duke përdorur sisteme online të lojërave të kësaj kategorie. Identifikimi dhe ndjekja e tyre është shumë e vështirë, ndërkohë që kjo veprimtari ilegale realizon të ardhura jashtë sistemit tatimor. Për këto arsye, do të jetë më oportune që të formalizohen në ligj bastet sportive online, duke vendosur rregulla shumë të forta licencimi dhe mbikëqyrje, me qëllim që të deklarohej e ardhura e krijuar dhe të paguhen detyrimet tatimore, për të cilat vlerësohet që të ardhurat në vitet në vijim të rriten me 0,25 të PBB-së.”
Gjatë kësaj periudhe, përpos operacioneve për kapjen e disa personave që ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm, u rikthye në vëmendje Ervis Martinaj, “zoti” i lojërave të fatit në Shqipëri. Martinaj, u shpall në kërkim pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani gjatë majit 2022, por u denoncua i humbur më 9 gusht 2022 nga familjarët e tij. Në ditët në vazhdim, u publikuan pamje nga një udhëtim i Martinajt drejt qytetit të Durrësit, ndjekur nga lajmet se ai është tashmë i vdekur, por pa asnjë konfirmim zyrtar apo nga familja. Prillin e vitit 2021, Martinaj u dënua me 3.8 vite burg për “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, por u lirua në këmbim të shumës prej 5 mln lekësh.
Publikisht, për herë të parë ideja e rikthimit të basteve online u dha nga Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, gjatë prillit 2022. Në një takim në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ylli kërkoi që të konsiderohej një vendim i tillë, pasi federatat sportive ishin në vështirësi financiare dhe të ardhurat nga bastet mund t’i ndihmojnë.
Kjo kërkesë u përsërit disa herë nga kreu i KOKSH, deri sa arriti në organizimin e një dëgjese publike me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ministren e Sporteve, Evis Kushi dhe krerët e disiplinave të tjera sportive. Kryeministri Rama ra dakord për shqyrtimin e kësaj kërkesë që ai e quajti “presion pozitiv” dhe tha se nëse do të riktheheshin bastet do të ndodhte vetëm online, jo më në salla. Fiks ashtu siç ishte përcaktuar edhe në Strategjinë e Ministrisë së Financave që në fillim të këtij viti./gazetasi