Minutat mungojnë në këmbët e tij prej prillit të vitit të shkuar, por ofertat kanë qenë të shumta. Marash Kumbulla është gati për të bërë një tjetër hap në karrierë. 23-vjeçari pritet të bashkohet me Sassuolo në formulën e huazimit, për t’iu bashkuar kështu kuqeziut tjetër, Nedim Bajrami.
Kumbulla besohet se do të udhëtojë për testet mjekësore dhe më pas hedhur firmën në kontratën që do ta mbajë tek kjo skuadër deri në fund të sezonit. Negociatat po vazhdojnë me ritme të shpejta me synimin për të gjetur një marrëveshje mbi bazën e një huazimi të thjeshtë. Futbollisti kuqezi synon minuta për të hedhur pas krahëve dëmtimin e rëndë që e ka lënë jashtë fushave prej thuajse 10 muajsh.
Me minutat e mundshme tek Sassuolo, Kumbulla pritet të gjej formën fizike dhe të jetë gati për kombëtaren shqiptare në kampionatin Europian. Këtë sezon, 23-vjeçari nuk është aktivizuar me Romën, teksa edhe sezonin e shkuar luajti 12 ndeshje ku shënoi edhe një gol.