Mediat braziliane dhe ato ndërkombëtare njoftojnë se policia ka marrë kontrollin e tre godinave kryesore qeveritare pas sulmit që ju bë nga simpatizantët dhe mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.
Protestuesit sulmuan ditën e djeshme Gjykatën e Lartë, pallatin presidencial dhe ndërtesën e Kongresit. Policia ka arrestuar 400 persona, ndërkohë që presidenti aktual i majtë Luiz Inacio Lula da Silva ka njoftuar se të gjithë ata që kanë shkaktuar trazira, do të përballen me ligjin dhe do të ndëshkohen.
Nga kaosi i shkaktuar nuk ka raportime për viktima apo të lënduar, por dëmet janë të mëdha pasi janë thyer mobiliet e Kongresit, dyer e dritare.
Sulmi ndaj institucioneve qeveritare zgjati plot 3 orë dhe kishte si motiv ardhjen në pushtet të presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Sipas simpatizantëve të ekstremit të djathtë, zgjedhje janë vjedhur.
Gjykata e Lartë e Brazilit shkarkoi guvernatorin e Brasilias nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë e kryeqytetit.
Nga Florida, ku ndodhej, Bolsonaro hodhi poshtë akuzën, se ishte ai nxitësi, duke thënë në një postim në Twitter se demonstratat paqësore ishin demokratike, por pushtimi i ndërtesave qeveritare “kaloi kufirin”.
Sulmi, i cili kujtoi atë që ndodhi ndaj Kapitolit të SHBA-së dy vjet më parë nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump, u dënua edhe nga liderët botërorë, nga presidenti i SHBA Joe Biden dhe ai i Francës Emmanuel Macron.