Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është përgjigjur deklaratës së shoqëriosë konçensionare së inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV e cila mohoi sot se nuk ka lidhje me asnjë kompani të denoncuara në evazionin fiskal.
E ftuar në emisionin “Open”, Kryemadhi tha se deklarata e tyre është korrekte, por drejtimi i tyre është i gabuar. Kryemadhi sqaron se kur flitet për inceneratorin e Tiranës, kemi parasysh kompaninë nënkontraktore në pronësi të Klodian Zotos. Ndër të tjera, kryetarja e LSI-së thotë se nga shoqëria konçensionare kërkon transparencë të investimeve të saj në inceneratorin e Tiranës.
“Në fakt ata e kabnë bërë korrekt deklaratën. Por drejtimi është i gabuar i tyre, sepse ata quhen Integrated Energy BSV, kurse kur unë them inceneratori i Tiranës, është nënkontraktori. Ata janë përfituesit e konçensionit që duhet të investojnë në inceneratorin e Tiranës. Me një kusht që Bashkia e Tiranës do depozitojë mbetjet dhe incenerimin e tyre për 29 euro për ton. Kompania është në rregull, por ka një problem se kompania ka nënkontraktuar Klodian Zoton, ITS-në. Ajo që unë kërkoj është që mungesa e transparencës, ose cila është arsye që Integrated Energy nuk na shpjegon dhe nuk na jep transparencën e investimeve të saj në inceneratorin e Tiranës. Me të vërtetë kjo kompani nuk ka lidhje me evazionin fiskal, por nënkontraktori i tyre, ka bërë evasion fiskal me 30 mln euro. Duhet të kuptojmë që kjo është një skemë kriminale dhe korruptive e madh. Normal që ndoshta rastësia dhe këmbëngulja ka bërë që të zbardhet. Në këndvështrim, duket normale. Por në zbardhje është një skemë shumë e madhe korruptive. Në të gjithë paditë që kam depozituar në SPAK, dhe shtesëpadia që do bëj në ditët në vijim, janë beteja midis meje dhe inceneratorëve bëhet në Prokurorinë e Posaçme. Beteja do vazhdoj edhe politikisht. Por nga ana faktike, nuk mund ta mohojë dot Klodian Zoto që me Integrated Technology Service, Integrated BV SPV i ka kaluar Klodian Zotos 25 mln dollarë. Ajo që është e rëndësishme, AlbTech Technology, janë dy kompani të tjera me të njëjtët pronarë” – tha Kryemadhi.
Reagimi nga IEBV – Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Tiranë
TIRANE. Dt. 5. 7. 2022
Deklaratë e Shoqërisë Koncesionare Integrated Energy BV SPV
Ditën e djeshme opinioni publik ra preh e dizinformimit të qëllimshëm, me akuzat e hedhura kundrejt Shoqërisë tonë nga kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) Znj. Monika Kryemadhi. Sipas saj një skemë mashtrimi me TVSH, e disa kompanive fiktive që kanë operuar në Shqipëri ka përfshirë Integrated Energy BV SPV (IEBV). Po sipas saj këto kompani kanë pasur marrëdhënie tregtare me Shoqërinë Koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila ndërton dhe menaxhon Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.
Në interes të publikut deklarojmë se:
IEBV, nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Znj. Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona. Asnjë shpifje dhe baltosje nuk mbulon investimin dhe punën e Shoqerisë Koncesionare IEBV. Dokumentet dhe e vërteta janë të aksesueshme. Investimi dhe puna e përditshme po ashtu. Ne refuzojmë çdo shpifje, hamendje, apo dashakeqësi që keqinformon publikun për qëllime politike apo çfarëdo qëllimi tjetër. Ftojmë mediat të vijnë pranë Zonës së Trajtimit të Mbetjeve, jemi të hapur për çdo sqarim dhe të gatshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën.
Integrated Energy BV SPV