Mbrojtësi i Kroacisë, Dejan Lovren dhe mesfushori Mateo Kovacic janë gati për përballjen kundër Brazilit, edhe pse rivalët e tyre në çerekfinalen e Kupës së Botës dallohen për lojtarët cilësorë në përbërje.
Ballkanasit synojnë që të shkojnë për herë të dytë radhazi në gjysmëfinale, por ndaj verdhejeshilëve, të cilët shikohen si një ndër favoritët e turneut nuk ka për të qenë aspak e lehtë.
‘Brazili ishte ekip favorit përpara turneut. Ata kanë dy ekipe që mund të luajnë në këtë nivel të lartë. Çdo lojtar stoli i tyre është i aftë të ndryshojë ndeshjen nëse futet në lojë. Ne respektojmë këdo e kështu punojmë’, tha mbrojtësi i Kroacisë, Dejan Lovren.
Kroacia e drejtuar nga trajneri Zlatko Daliç nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin deri në çerekfinale ndërsa në sfidën e shkuar eliminoi Japoninë me penallti. Mesfushori Kovaçiç beson se kombëtarja e tij mund të luajë edhe më mirë.
‘Unë mendoj se Brazili është gjithnjë favorite në Kupën e Botës, por jo vetëm ata. Ka edhe kombëtare të tjera mjaft të forta e ka më shumë se një ekip favorit. Jemi të përqendruar te vetja, në lojën tonë dhe se si të japim më të mirën në ndeshje’, u shpreh mesfushori i Kroacisë Mateo Kovacic.
Për Kroacinë do të jetë e vështirë që të kontrollojë topin ndaj Brazilit, me trajnerin Tite që pritet të hedhë në fushë lojtarët e tij më të mirë.
Ndërkohë që edhe mbrojtja e nënkampionëve të botës është e përgatitur për të bllokuar yjet verdhejeshilë./ Klan News