Në 10 vitet e fundit mijëra mjekë të trajnuar në Spanjë kanë shkuar për të provuar fatin jashtë vendit, të tunduar nga pagat shumë më të larta dhe kushtet e punës me të cilat është e vështirë të konkurrosh.
Ikja e mijëra mjekëve tregon se sistemi i kujdesit shëndetësor është në kolaps. Qeveria po planifikon të rrisë numrin e vendeve të punës për mjekët deri në 15%. 6000 mjekë të familjes mungojnë, veçanërisht në zonat rurale, sipas Forumit të Kujdesit Parësor.
Kjo mungesë e theksuar mjekësh kërcënon të përhapet në specialitete të tjera nëse nuk zëvendësohen 80 mijë profesionistët që do të dalin në pension në dekadën e ardhshme, sipas një raporti nga Qendra e Studimeve të Unionit Mjekësor të Granadës. Në këtë kontekst, Buxhetet e Përgjithshme të Shtetit për vitin 2023 parashikojnë një disbursim prej 50 milionë eurosh për të hapur 1000 vende në mjekësi.
Sipas një sondazhi, një në çdo tre mjekë në Spanjë deklaron se është i pakënaqur për shkak të barrës, niveli të lartë të kërkesës, lodhjes së madhe në punë dhe kontratat e përkohshme.
Përballë kësaj, shumë vende evropiane ofrojnë stabilitet në punë, paga të mira si dhe kushte të mira. Një mjek rezident në vitin e parë të punës në Madrid merr vetëm 1200 euro në muaj, shumë më pak se në vendet e tjera europiane. Mesatarisht, mjekët në Francë fitojnë 95,000 euro në vit. Gjermania ofron gjithashtu kushte më të mira ndryshe nga Spanja. Shumë mjekë në Berlin dhe jo vetëm kanë rreth 30 ditë pushim krahasuar me 24 në Spanjë.