Shkrimtari ynë i shquar me famë ndërkombëtare, Ismaili Kadare është vlerësuar nga komuna e Rahovecit me deklaratën “Ukshin Hoti:. Në një ceremoni të veçantë, u kujtua komunikimi i Kadaresë dhe Ukshin Hotit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humb në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare. Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare, e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht. Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hotit janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosovës iu është imponuar lufta dhe shumica e këtyre plagëve nuk njihen nga aleatët tanë e lere më nga ata që i kanë shkaktuar. Mes të tjerash ai tha se qytetarët e Kosovës duhet ta gjejnë fuqinë e pajtimit dhe të jetojnë në paqe, duke mos harruar.
Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, ‘Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe djali i veprimtarit të Ukshin Hotit, Andin Hotit. Përpara kësaj ceremonie, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, është përuruar kompleksit kulturor-historik në Krushë të Madhe.