Lokomotiva e Zagrebit rikthehet tek fitorja falë dyshes shqiptare, Jon Mersinaj-Indrit Tuci. Mbrojtësi asistoi tek goli i parë në fitoren 4-0 që skuadra kryeqytetase regjistroi në fushën e Istra, teksa sulmuesi realizoi golin e tretë. Mersinaj, i vlerësuar me notën 7.9 devijoi saktë një krosim nga këndi për të shërbyer për shokun e skuadrës.
Dominimi i Lokomotivës ishte i dukshëm, teksa gjetën edhe golin e dytë para se t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjeve. Nga aty, Tuci mori udhëzimet e duhura për të shënuar golin e tretë dhe thelluar rezultatin në favor të Lokomotivës. 23-vjeçari, i cili pret ende ftesën në kombëtaren A, u shfaq i ftohtë në portën e boshatisur për të realizuar kështu golin e dytë sezonal.
Ish-lojtari i Shpresave qëndroi në fushë për 85 minuta, për tu vlerësuar me notën 7.1. Pas 8 sfidave, Tuci ka realizuar dy gola dhe ka asistuar në dy të tjerë për të ndihmuar kështu skuadrën të qëndrojë larg zonës së ftohtë të renditjes. Lokomotiva e Zagrebit gjendet 9 pikë e distancuar nga kreu që mbahet nga Hajduku i Splitit.