Korea e Veriut lëshoi një tjetër raketë balistike ndërkontinentale e cila dështoi në mes të fluturimit. Lëshimi i raketës është i shtati i Phenianit këtë vit dhe vjen mes shqetësimeve se së shpejti do të testojë një armë bërthamore.
Raketa me rreze të gjatë veprimi fluturoi për rreth 760 km dhe arriti një lartësi prej rreth 1,920 km por sipas ushtrisë së Koresë së Jugut ajo nuk arriti që të kryente të plotë misonin e saj. Kjo vjen një ditë pasi të dyja Koretë lëshuan raketa në një përshkallëzim të tensioneve. Ai shkëmbim pa numrin më të madh të raketave të lëshuara nga veriu në një ditë të vetme.
Hedhjet e shumta të raketave nga Korea e Veriut vijnë pasi SHBA dhe Korea e Jugut po organizojnë stërvitjet e tyre më të mëdha ajrore të përbashkëta ndonjëherë, të cilat Pheniani i ka kritikuar ashpër si agresive dhe provokuese.
Kjo e shtyhu qeverinë japoneze të lëshojë një alarm të rrallë emergjence për banorët në disa nga rajonet e saj veriore, duke u thënë atyre të qëndrojnë brenda. Tokio fillimisht tha se raketa kishte fluturuar mbi Japoni, por ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se raketa ra mbi Detin e Japonisë.
SHBA në një deklaratë bëri të ditur se hedhja sërish e raketës demonstroi kërcënimin që programi raketor i Koresë së Veriut paraqet për fqinjët dhe paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Veriu ka testuar një numër rekord raketash këtë vit pasi tensionet janë rritur. Pavarësisht sanksioneve, Pheniani kreu gjashtë teste bërthamore midis 2006 dhe 2017 dhe besohet se po planifikon një të shtatë. Ajo ka vazhduar të avancojë aftësitë e saj ushtarake duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të kërcënuar fqinjët e saj. Eskpertët janë shprehur se Korea e Veriut po paraqet kërcënime shumëdimensionale dhe sistematike.