Komuniteti ukrainas në Brazilin jugor vendosi në solidaritet me vendin e shkatërruar nga lufta për ta kthyer ekipin e tyre lokal të futbollit në FC Mariupol, një klub ukrainas i kategorisë së parë të shpërbërë pas pushtimit rus.
AA Batel, një ekip nga rajoni Prudentopolis i shtetit Parani, ka marrë përsipër fanellën, stemën dhe logon e Mariupolit një vit pasi objektet dhe stadiumi i klubit u shkatërruan në atë që Moska e quan një operacion të posaçëm ushtarak, raporton Reuters.
“Klubi Mariupol përfaqëson identitetin e komunitetit tonë, i cili është më shumë se 70 për qind ukrainas dhe pasardhës ukrainas”, tha presidenti i AA Batela, Alex Lopes. “Ukraina ka mbështetur gjithmonë talentin e madh të futbollit brazilian dhe është bërë një portë e rëndësishme për lojtarët për të hyrë në tregun evropian. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të ndihmuar në mbajtjen e klubit të tyre gjallë dhe për t’u dhënë shpresë ukrainasve në mbarë botën”.
Nënkryetari i Mariupol Andrij Sanin shprehu mirënjohjen e tij “për pritjen e ngrohtë të AA Batel”.
“Lufta ishte shkatërruese për qytetin tonë, por që ky ekip futbolli nga ana tjetër i botës të ofrojë për të mbajtur gjallë emrin tonë gjatë kësaj periudhe të errët të historisë sonë … është e pamundur të shprehet se sa shumë do të thotë për ne”, tha Sanin.
Klubi i ligës së parë Mariupolj, i themeluar në vitin 1992 si Iljičevec, konkurroi në kualifikueset e Kupës UEFA, më vonë për Ligën Evropiane, për herë të fundit në sezonin 2019-2020.