Një masë tjetër drastike është vendosur së fundmi në Korenë e Veriut dhe ka lidhje me emrin e vajzës së liderit Kim Jong Un. Shtetasit e Koresë së Veriut e kanë të ndaluar që të përdorin emrin që mban vajza e tij.
Autoritetet e Koresë së Veriut po i detyrojnë vajzat dhe gratë të ndryshojnë emrat e tyre, nëse ato quhen Kim “Ju Ae”. Për të bërë ndryshimet e nevojshme, atyre (që mbartin të njëjtin emër) u është lënë një javë kohë. Sipas mediave vendase, tashme emri Kim “Ju Ae” është i rezervuar vetëm për personalitete me “dinjitet shumë të lartë”.
Edhe në të kaluarën qytetarët në Korenë e Veriut janë ndaluar që të përdorin të njëjtët emra si udhëheqësit dhe të afërmit e tyre.
Edhe vetë Kim Jong Un i ndaloi burrat të mbanin emrin e tij në vitin 2014.
Vajza e liderit koreanoverior besohet se është 10 vjeç dhe është e vetmja nga tre fëmijët e tij që është bërë publike për popullin. Disa ekspertë thonë se ky është një veprim i qëllimshëm, pasi spekulohet se ajo do të jetë pasardhësja e tij.