Problemet fizike janë lënë pas dhe sezoni aktual ka rilindur Keidi Baren. Mesfushori i kombëtares shqiptare po shndërrohet gjithnjë e më shumë në vendimtar për Espanjolin, që kërkon të rikthehet aty ku i takon në fund të edicionit. Katalanasit synojnë që të ngjiten në La Liga dhe një kontribut të rëndësishëm presin edhe nga cilësitë e 26-vjeçarit.
Pavarësisht moshës së re, ai konsiderohet veteran në urdhrat e trajnerit Luis Garcia, i cili e vlerëson jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për angazhimin jashtë fushave të lojës për shkak të karakterit të tij. Për momentin performanca e mesfushorit po e ndihmon skuadrën bardheblu të zë një prej dy vendeve të para që do i ngjiste direkt në elitën e futbollit spanjoll. Mesfushori ka një saktësi pasimesh të sakta për t’u admiruar, rreth 85%, duke qenë siguri për skuadrën.
Keidi Bare ka kontratë me Espanyolin deri në 30 qershor 2024, por për momentin nuk ka vendosur për të rinovuar apo jo. Vullneti i futbollistit është për të qëndruar, gjithsesi, ofertat e skuadrave të La Ligës dhe nga jashtë Spanjës mund ta tundojnë për tu larguar nga klubi katalanas. Rinovimi me klubin e Espanyol do të konfirmonte dëshirën e futbollistit për të qëndruar në një kampionat tepër të fortë si ai spanjoll. Mundësia për tu larguar në merkaton e verës me parametra zero është një tjetër variant, që Espanyol nuk e dëshiron aspak, teksa për Baren, rritja e pagës vjetore do ta ulte në tryezën e bisedimeve.