Për herë të parë, Japonia nuk do të ketë ndryshime në pankinë pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës. Sipas asaj që raportojnë mediat aziatike, Hajime Moriyasu do të qëndrojë në detyrë pas eksperiencës në Katar. Vazhdimësia e trajnerit japonez pritet të konfirmohet në një takim të ardhshëm të bordit të Federatës, për ta shndërruar kështu 54-vjeçarin të mbijetuarin e parë në pankinën e “samurait blu” që vijon eksperiencën në stol, kjo falë edhe performancës fantastike në turneun e Lindjes së Mesme.
Mister mbeten detajet e marrëveshjes, me teknikun që sigurisht do të pësojë një rritje të pagës në kontratën e re. Federata Japoneze kishte përgatitur një listë me kandidatët e mundshëm për këtë pozitë para Kupës së Botës dhe mes emrave të raportuar ishte dhe argjentinasi, Marcelo Bielsa.
54-vjeçari udhëhoqi Japoninë deri në raundin e 1/8-ave të Kupës së Botës, duke triumfuar ndaj kombëtareve si Gjermania e Spanja, teksa u eliminua para se të shkonte në çerekfinalet e kompeticionit nga Kroacia. Ndonëse nuk arriti që të shkonte për herë të parë në mesin e 8 skuadrave më të mira në Botë, lidershipi dhe personaliteti i Moriyasu ka bërë diferencën te kombëtarja japoneze. Hajime Moriyasu drejton Japoninë që prej vitit 2018, duke e udhëhequr drejt 41 fitoreve, 9 barazimeve dhe 12 humbjeve, në 62 prezencat e tij në stol./ Klan News